Alegri: Juventus favorit ndaj Milanit? Ashtu ishim edhe kundër Interit!

Masimiliano Alegri jo më kot cilësohet si një nga trajnerët më të mirë të Europës. Ai paralajmëron Juventusin se nuk do të jetë aspak e lehtë në “San Siro” ndaj Milanit, edhe pse në letër kampionët janë favoritë absolutë. i thjeshtë dhe ndoshta jo me shumë karizëm, Alegri e ka gjithë zgjuarsinë për të motivuar siç duhet lojtarët e tij.

“Këto ndeshje janë gjithnjë të ekuilibruara, – shprehet drejtuesi i Juventusit, ish-trajner i Milanit, – edhe me Interin u cilësuam si favoritë, por hëngrëm një dru të mirë që ta mbajmë mend”. Duke analizuar kundërshtarin, Alegri thekson se “ata kanë entuziazëm, ndaj duhet të luajmë në nivel shumë të lartë që t’ia dalim”. Ai do të donte që futbollistët e tij, edhe pse më të pjekur, të merrnin një nga karakteristikat e milanistëve, pikërisht entuziazmin thuajse adoleshent. “Milani luan me kurajë, me entuziazëm dhe në mënyrë thuajse adoleshente, – u shpreh Alegri, – do të doja që kjo mënyrë adoleshente të mos u mungonte as lojtarëve tanë”.

Gjithsesi, trajneri ndihet mirë që ka futbollistë me karrierë të gjatë. “Kur ke lojtarë si Bufon, lojtarë të mëdhenj dhe me përvojë, është më e lehtë të fitosh”, – pranon trajneri. Juventinët do të jenë me probleme dëmtimesh të shtunën në stadiumin milanez. i vetmi nga ata që janë në dyshim që mund të rikuperojë është Manxhukiç. “Kielini ndoshta bëhet për Sampdorian, – informon Alegri, – Pjaca nuk është ende gati, Markizio është pranë rikthimit, por jo për lojë, ndërsa Rugani vetëm dje u bashkua me grupin dhe të shohim sesa dhimbje ka në gju”.

B. Kuka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *