Abramoviçi dhe sheiket me gisht në gojë: Kielini s’tundet as me para …

Ylli i Juventusit, Xhorxhio Kielini, ka rënë dakord që ta vazhdojë kontratën e tij me klubin gjigant të Serisë A, bën të ditur “Calcio Mercato”. Gazetari i këtij mediumi italian, Fabricio Romano, jep hollësi të marrëveshjes së arritur, ndërsa vë në dukje se Kielini do të rrijë te Juventusi deri më 2020. Marota dhe Paratiçi, tanimë, e kanë përfunduar punën e tyre, ndërkohë që njoftimi zyrtar pritet që të bëhet i ditur në një të ardhme të afërt. Romano, po ashtu, bën të ditur se Kielini ka refuzuar që të shpërngulet për në Premier Ligën angleze dhe se ai ka dëshirë që të vazhdojë të luajë në Torino.

Kohët e fundit, Çelsi dhe Mançester Siti janë përpjekuar që ta sjellin Kielinin në radhët e veta si lojtar të lirë, pasi kontrata aktuale atij i mbaron në fund të këtij sezoni. Por, Kielini që ka te Juvja që në vitin 2005, që ka luajtur me “zonjën e vjetër” 467 ndeshje dhe që ka fituar me bardhezinjtë gjashtë tituj të Serisë A, një të Serisë B, tri Kupa të Italisë dhe tri Superkupa të Italisë, vë në dukje se ai kurrë nuk ka biseduar me ndonjë klub tjetër, qoftë edhe ata të Premier Ligës, dhe se ai ka ndërmënd që ta mbyllë karrierën me Juventusin.

Sfidanti.al