“Tifozët do paguajnë vetëm 1 stërlinë për biletën në Premier Ligë”

Futbolli dhe fitimi (direkt apo indirekt) janë të pandashme në kohët që po jetojmë. Klube private të organizuar në kampionate nga një ligë e përbërë prej tyre, nuk mund të lenë vend për të qenë ndryshe. Gjithsesi, edhe në këtë klimë xhungle, ka klube që mendojnë më shumë se të tjerët për xhepat e tifozëve. i tillë është Bredford Siti në kategorinë e dytë angleze (Championship), të paktën sipas fjalëve të bashkëpronarit të tij, Edin Rahiç.

“Nëse skuadra jonë do të ngjitet në Premier Ligë, – thotë ai, – tifozët do të paguajnë vetëm 1 stërlinë për biletë”. Rahiç pohon se edhe kështu, klubi do të ketë përfitim, ndërsa rregullisht Bredfordi ndiqet nga 18 000 tifozë në kategorinë e dytë. Brefordi ka qenë gjithnjë një klub i lirë, pasi tifozët aktualisht paguajnë 149 stërlina për 23 ndeshje shtëpiake, që do të thotë 6-7 stërlina për ndeshje, apo rreth 10 euro.

Ky është çmim i krahasueshëm me Bundesligën gjermane, ndërsa sot në futboll përfitimet vijnë më shumë nga të drejtat televizive, apo edhe marketingu e merçëndajzing (merchangising). Përsa i përket Premier Ligës, ajo i kushton shumë tifozëve. Mjafton të themi se Arsenali ka një abone vjetore prej mbi 1 000 stërlinash për në “Emirejts”.

Sfidanti.al