“Salah nuk ikën edhe nëse troket në derë Reali i Madridit”

Jurgen Klop e ka bërë të qartë se ai ka ndërmend që të fitojë tek Liverpuli. Ish-trajneri i Dortmundit, nuk dëshiron që të luftojë për vend të dytë, për kualifikim për në Champions, për gjysmëfinale apo finale, por veçse për trofe, dhe për këtë nuk ka ndërmend të lejojë që t’i largohet asnjë lojtar tjetër, pas Filip Kutinjos.

Mohamed Salah është ylli i radhës që mund të ndezë një luftë me gjigandët e Europës, shprehimisht me Realin e Madridit, pasi egjiptiani është paraqitur në mënyrë të shkëlqyer këtë sezon, ashtu si Mesi apo Ronaldo. Salah fiton diçka më shumë se 100 000 euro në javë në “Anfild”, që kur u transferua nga Roma, dhe Reali padyshim që do t’i jepte rrogë shumë më të lartë.

Me siguri Klopi po mendon t’i ofrojë një kontratë të re, të përmirësuar, edhe pse akordi 4-vjeçar i tanishëm u nënshkrua vetëm verën e kaluar. Trajneri liverpulas po ashtu po mendon të forcojë skuadrën me lojtarë të tjerë. Pasi mori mbrojtësin Van Dajk për 85 milionë euro, ai synon Nabi Keitën e Lajpcigut (thuhet se e ka marrë për rreth 60 milionë euro), por edhe Zhorzhinjon e Napolit.

Klop shpreson të kthejë lavdinë në “Anfild”, me titullin e parë kampion që nga viti 1990 dhe me fitoren e Championsit, që u arrit për herë të fundit me Rafa Benitezin në 2005, dhe për këtë gjë ai është gati të shpenzojë në mënyrë agresive.

Sfidanti.al