Liverpul e Siti nuk gabojnë, por është Çelsi që mban kreun!

Premier Liga ende nuk është “pronë” e kujt, por skuadrat më të forta po i përgjigjen njëra-tjetrës javë pas jave. Liverpuli dhe Mançester Siti i fituan ndeshjet e kësaj të shtune, veçse të njëjtën gjë bëri edhe Çelsi. Blutë e Londrës e patën shumë të vështirë në derbin ndaj Totenhemit, por e konfirmuan veten si ekipi më i fortë në Angli, duke triumfuar 2-1 në “Stemford Brixh”.
Golit të Kristian Eriksenit që në fillim, iu përgjigj Pedro në minutën e fundit para pushimit, ndërsa Viktor Mozes fiksoi shifrat me të nisur pjesa e dytë. Ishte minuta e 51-të, por pas golit të dytë rezultati nuk ndryshoi dhe djemtë e Antonio Kontes arritën fitoren e shtatë radhazi, duke u ngjitur në kuotën e 31 pikëve.
Më parë nga të gjithë luajti Siti i Guardiolës, që gjithashtu e pati shumë të vështirë në stadiumin e Bërnlit. Din Marnei kaloi vendasit në epërsi, dhe u desh klasi i Agueros për të sjelle fitoren. Argjentinasi realizoi në 37’ për 1-1 dhe pastaj sapo u mbush një orë lojë për golin e fitores.
Liverpuli luajti në orarin e zakonshëm anglez, 16:00, dhe nuk i shpëtoi vuajtjeve të kësaj të shtune. Sandërlendi bëri rezistencë të fortë deri në minutën e 75-të kur sulmuesi belg, Divok Origi kaloi të kuqtë në epërsi në “Anfild”. Fitorja u sigurua me golin e Xhejms Milnerit në minutën e fundit me penallti.
Ndeshjet kryesore: Bërnli Man. Siti 1-2, Liverpul-Sandërlend 2-0, Çelsi-Totenhem 2-1, Leiçester-Midëllsbrou 2-2. Të dielën: Arsenal-Bornemuth, Man. Junajtid-Uest Hem.
Renditja: Çelsi 31 pikë, Liverpul 30, Arsenal (-1) 25, Totenhem 24, Man. Junajtid (-1) 19.