“Klop on top”, Liverpuli i trajnerit gjerman kryeson Premierin

I mrekullueshëm Çelsi, i rrjedhshëm dhe favorit Mançester Siti, ambicioz dhe pretendent Arsenali! Prisni, kemi harruar Liverpulin! Të kuqtë e famshëm u ngjitën në krye të Premier Ligës angleze pas një demonstrimi të frikshëm sulmues ndaj Uatfordit në “Anfild”. Trajneri gjerman, Jurgen Klop, ndihmuar edhe nga pushimi europian, po krijon dalë nga dalë një superskuadër.

Sadio Mane, Filip Kutinjo, Emre Xhan, Roberto Firmino, sërish Sadio Mane dhe Georginio Vajnaldum ishin autorët e golave për rezultatin final 6-1. Një gol ngushëllues ishte gjithçka mundi të bënte Uatfordi, përballë një publiku prej 54 000 tifozësh.

Liverpuli ka 26 pikë dhe ka shënuar më shumë gola se rivalët, 30 ndaj 26 të Çelsit apo 25 të Mançester Sitit. Skuadra e Klopit përfitoi edhe nga gabimet e të mëdhenjve të tjerë. Man. Siti barazoi të shtunën, ndërsa Arsenali u ndal në stadiumin e tij në derbin londinez nga Totenhemi.

Sukses, më në fund, për Murinjon, për Mançester Junajtidin, dhe për dy emrat e famshëm të tij. Pol Pogba la pas dëmtimin dhe Zllatan Ibrahimoviç shënoi dy gola për fitoren 3-1 në fushën e Suonsit.

Java 11: Liverpul-Uatford 6-1, Arsenal-Totenhem 1-1, Suonsi-Man. Junajtid 1-3, Hall Siti-Sauthempton 2-1.

Renditja: Liverpul 26 pikë, Çelsi 25, Man. Siti 24, Arsenal 24, Totenhem 21.

B. Kuka