Klop flet për problemet e Liverpulit, dhe për “çmendurinë” e tij!

Jurgen Klop është një nga trajnerët më të çuditshëm në botë. Gjermani i Liverpulit gjithnjë ka qenë simpatik me natyrën e tij tepër të zjarrtë pranë vijës anësore, duke u hedhur përpjetë sikur të ishte një tifoz adoleshent. Kjo i ka nxjerrë edhe namin sikur nuk është edhe aq serioz, pasi vazhdimisht qesh, edhe atëherë kur duhet të qajë. Një gjykim i tillë i të tjerëve për të, e bëri Klopin që të reagonte përpara gazetarëve, në prag të ndeshjes ndaj Arsenalit në Premier Ligë.

“Unë nuk jam aspak karagjoz, – tha Klop me qetësi, por edhe seriozisht, – edhe pse disa njerëz mendojnë pikërisht kështu. Unë nuk qesh gjithnjë si i çmendur. Unë jam një njeri normal”. Trajneri pranoi se skuadra e tij po kalon momente të vështira dhe shtoi se “si çdo njeri, edhe unë ndikohem nga ato që ndodhin gjatë sezonit, dhe nuk mund të jem në të njëjtin humor si në fillim të edicionit”.

Gjithsesi, Liverpuli e ka më të vështirë të luajë skuadrat e quajtura “të vogla” sesa më të fortat, pasi të pesë humbjet në kampionat i ka prej tyre, besohet prej lojës së tyre të ashpër fizike. Klop e kritikoi këtë lloj loje duke thënë se “të jesh i fortë fizikisht do të thotë të jesh gati të dëmtohesh vetë, jo të dëmtosh të tjerët”, ndërsa shtoi se ai kurrë nuk do të kërkojë një lojë të tillë nga futbollistët e tij.

Sfidanti.al