Heroi është Pulishiç, por fitorja është e Çelsit të Lampardit

Një amerikan ndoshta nuk është reklama më e mirë e futbollit (atij të shpikur në Angli), dhe tek Çelsi nuk është se kishin besim të plotë. Kristian Pulishiç u soll në skuadër nga Mauricio Sarri, trajneri që shkoi tek Juventusi, dhe Frenk Lampard sikur nuk pati shumë kënaqësi që e gjeti në skuadër. Kjo bëri që lojtari ofensiv i marrë nga Dortmundit të priste gjatë për shansin e tij, por tregoi se vlen shprehja “i duruari, i fituari”.

Pasi luajti nja dy herë si zëvendësues, Pulishiç e bindi Lampardin t’i jepte rolin e titullarit pikërisht në duelin në fushën e Bërnlit në Premier Ligë, hera e parë në formacion që nga gushti. Trajneri ia kishte bërë komplimentet që në mesjavë, dhe lojtari me numrin 22  ia ktheu me “kamatë”. Shënoi 3 gola në fitoren 4-2, madje me rezultatin që shkoi deri në 4-0.

Pulishiç është vetëm 21 vjeç, pra ka përpara vetes një të ardhme të madhe, veçse i gjithë Çelsi i Lampardit është një skuadër e të rinjve. i ri është portieri titullar, Kepa (25 vjeç), i ri Tomori (21), Zuma (24), Abraham (22), Maunt (21), Xhejms (19), i ri Pulishiç, dhe nuk janë shumë të vjetër edhe të tjerët si Alonso, Kovaçiç, Uillian, Zhorzhinjo, e padyshim edhe talenti Hadson-Odoi (18). Një ekip me të ardhme, që shpejt mund të konkurrojë me Liverpulin dhe Mançester Sitin për titull, dhe që ndodhet në vend të katërt pavarësisht humbjes së rëndë 0-4 në javën e parë të Premier Ligës ndaj Mançester Junajtidit.

Sfidanti.al