Granit Xhaka dhe Bundesliga, dashuria rilind prej … hallit!

“Nuk e di nëse ai do të luajë sërish për Arsenalin”. Këto ishin fjalët e trajnerit të londinezëve, Unai Emeri, pasi e la Granit Xhakën jashtë skuadre për ndeshjen e sotme ndaj Leisterit në Premier Ligë. “Ne kemi nevojë për një lojtar si ai, pasi i ka të gjitha cilësitë për të luajtur për Arsenalin, por nuk e di nëse do të luajë edhe më tej me ne”, – sqaroi tekniku.

Shqiptari i Zvicrës ka disa ndeshje që nuk aktivizohet, që pas ofendimit që i bëri tifozëve të tij në ndeshjen ndaj Kristël Palasit, ndërsa i është hequr edhe shiriti i kapitenit. E ardhmja e tij mund të jetë sërish në Bundesligë, madje që nga janari, ndonëse nuk dihet nëse ai mund të kthehet te Borusia e Mynshengladbahut. Menaxheri i Gladbahut, Maks Eberl, deklaron se “do të jetë e vështirë edhe nga ana financiare, por edhe nga ana sportive, pasi Xhaka ka qenë lojtar shumë i mirë i yni, por gjërat ndryshojnë dhe ndoshta mund t’i prishësh më shumë punë vetes sesa të fitosh”.

Arsenali e mori Xhakën për 45 milionë euro në 2016, lojtari ka kontratë deri në 2023, ndërsa vlera në treg për momentin cilësohet 40 milionë euro. Vështirë se ndonjë ekip do të paguante kaq, pas kësaj krize.

Sfidanti.al