Biznes i sigurt me Pogbanë, por Junajtid duhet të nisë fitoret!

“Old Trafordi” duket jo edhe aq si stadium futbolli, por më shumë si selia e ndonjë kompanie të madhe shumëkombëshe, të tillë si Ejpëll (Apple) apo Amazon. Me një shef ekzekutiv (apo zëvendës) si Ed Uduord, klubi anglez ka vendosur standarde të larta për të ardhurat financiare, dhe nuk dyshohet se në këtë aspekt, do të dijë të dalë fitues në “Sagën Pol Pogba”. Problemi më i madh për tifozët është nëse paratë që do të fitohen (nëse ndodh transferimi), do të jenë të dobishme që Mançester Junajtidi të nisë të fitojë si në kohën e Sër Mat Basbit apo Sër Aleks Fergusonit.

“Djajtë e kuq” nuk do të lejojnë largimin e Pogbasë pa 170 milionë euro, ose minimalisht 150 milionë, që do të thotë 70 apo 50 milionë euro më shumë sesa shpenzuan për ta marrë nga Juventusi. Në të njëjtën mënyrë, Fergusoni nuk ngurroi të vendoste rekordin botëror të transferimeve kur Reali kërkoi Kristiano Ronaldon, dhe ra dakord për 94 milionë euro në 2009. Nja dy vjet më parë, anglezët përballuan “ofensivën madrilene” për David De Gean. Ndryshimi i madh me kohën e Fergit është se trajneri skocez arriti sërish në finalen e Championsit në 2011, dy vjet pas largimit të CR7-ës, dhe fitoi titujt në 2011 e 2013, ndërsa sot këto kulme duken të paarritshme.

Sfidanti.al