Mesazh i Çavit për Usain Boltin: Inteligjenca futbollistike është diçka tjetër!

Legjenda e gjallë e atletikës dhe njeriu që ka fituar nëntë medalje të arta në Lojrat Olimpike, Usain Bolt, po përgatit që të dalë të luajë në fushën e blertë si futbollist, pasi ka hequr dorë nga pistat e atletikës. Dihet dëshira e madhe e Boltit që ta tregojë veten edhe në futboll. Këto ditë, ai po stërvitet me Borusian e Dortmundit, ndërkohë që pritet që Bolti të luajë, gjatë verës, në një ndeshje me karakter humanitar mes një “ekipi të botës” dhe yjeve amerikanë.

Sidoqoftë, Bolti mori këto ditë një këshillë nga veterani Çavi Ernandez që e ka mbajtur veshur një kohë të gjatë bluzën e Barcelonës dhe që konsiderohet si një nga futbollistët më inteligjentë në botë.

“Bolti është një njeri që lind rrallë, ai është një nga sportistët e mi më të dashur. Askush në histori nuk mund të matet me shpejtësinë e tij, por, megjithatë, futbolli është një diçka tjetër. Është diçka tjetër të jesh njeriu më i shpejtë në botë dhe diçka tjetër është inteligjenca futbollistike. Këtë duhet të ketë të qartë ai”, vuri në dukje Çavi.

Sfidanti.al