Shpresë tek Championsi dhe gjyqet në Francë, Nejmar djersin në stërvitje!

Nuk e mendonte se ndërsa ligat e tjera do të ktheheshin, ajo ku ai luan nuk do ta bënte. Kështu i ndodhi Nejmarit, ndërsa sulmuesi i Paris SG synon të jetë sa më shumë në formë për çdo konkurrim të mundshëm. Padyshim që mund të luajë në Champions, kur PSG është i kualifikuar për në çerekfinale, por ndoshta mund të fitohet gjyqi në Francë ndaj qeverisë që vendosi të anulonte pjesën e mbetur të sezonit. Për të qenë gati për çdo gjë që mund të ndodhë, Nejmari po stërvitet fort, ndonëse jo në Europë, por në Brazil .

“Trajneri im i përgatitjes fizike dhe atletike (Rikardo Soza) ka përgatitur një program personal që unë po e ndjek germë për germë, – shprehet numri 10 i parizienëve, – për të kompensuar mungesën e ndeshjeve, por bëj ushtrime të ndryshme, po stërvitem më shumë sesa zakonisht. Natyrisht që më mungon ritmi i ndeshjeve, më mungon emocioni i futbollit, por stërvitja ime i afrohet atij ritmi”. Në Francë u vendos të anulohej kampionati dhe t’i jepet titulli Paris SG, por disa klube e kanë hedhur në gjyq këtë vendim. Sa për Championsin, ai shpresohet të luhet në gusht.

Sfidanti.al