Nga dëmtimi tek akuzat e përdhunimit, s’ka paqe për Nejmarin e PSG-së!

E keqja nuk paska të mbaruar për të. Nejmar po kalon ndoshta momentet më të vështira të karrierës dhe të jetës, pas dëmtimit që i ndodhi me Brazilin dhe lajmeve të reja nga skandali i përdhunimit të dyshuar. Ylli brazilian u lëndua në miqësoren që kombëtarja e tij fitoi 2-0 ndaj Katarit, dhe u detyrua të largohej nga stadiumi që në pjesën e parë. Ky ishte dëmtimi i tij i dytë në pak muaj, ndërsa gazeta franceze “Lë Parizien” shkruan se ylli i PSG-së do të jetë jashtë fushave për 6 javë, pra do të humbasë Kupën e Amerikës në Brazil.

Edhe më rëndë se nga dëmtimi, sulmuesi u godit nga videoja e re e publikuar nga modelja e quajtur Nahila Trindade. Në filmim dallohet që futbollisti dhe Nahila ndodheshin në një dhomë hoteli, dhe se ata shtrihen në shtrat, por më pas, femra ngrihet dhe e godet Nejmarin i cili duket se tenton t’i kundërpërgjigjet. Interpretimi i modeles është se ajo goditi pasi u t entua të përdhunohej, ndërsa babai i Nejmarit, i ftuar në një studio televizive në Brazil, pretendon të kundërtën. “Djali im u sulmua dhe ky ishte një provokim”, – tha babai i sulmuesit.

Vetë Nejmar i ka hedhur poshtë akuzat si përdhunues, duke publikuar një video në rrjetet sociale, ku paraqiten edhe mesazhet intime mes tyre. Nahila Trindade ka bërë denoncim në një rajon policie në qytetin e Sao Paulos, duke deklaruar se u përdhunua në një hotel në Paris. Ajo thotë se Nejmar i preu biletë avioni dhe prenotoi dhomën e hotelit në Francë, dhe se ajo e pëlqente, por pastaj futbollisti u bë agresiv.

Pritet procesi gjyqësor për të përcaktuar nëse bëhet fjalë vërtet për një përdhunim, apo për një grackë të modeles për të përfituar një shumë të madhe parash nga Nejmari. Ylli i Paris SG pati probleme edhe më parë, pasi u dënua me disa ndeshje pezullim për shkak se goditi një tifoz në përfundim të finales së Kupës së Francës.

Po ashtu, atij iu hoq shiriti i kapitenit nga trajneri i Brazilit, Tite, dhe ndoshta largimi i tij për shkak dëmtimi mund t’i bëjë mirë ekipin përfaqësues për në Kupën e Amerikës.

Sfidanti.al