Zidan, ku i ke blerjet e verës? Joviç po “troket” për në formacion!

Nga pesë lojtarët e marrë në verë, tre janë të dëmtuar dhe dy nuk kanë luajtur thuajse asnjë minutë. Kjo është gjendja tek Reali, që është paraqitur në dy ndeshjet e para të La Ligës me “skuadrën e vjetër”. Pas lavdërimeve të para, erdhën kritikat, dhe “Marka” shkruan se “Reali i Vjetër” ngre shumë pyetje, por dëmtimet e Hazarit, Mendisë e Rodrigos nuk i kanë dhënë shumë mundësi për ndryshime trajnerit Zinedin Zidan.

Mbeten Luka Joviç dhe Militao që janë “shëndoshë si molla”, dhe që thuajse nuk kanë luajtur aspak. Serbi ishte në fushë gjithsej për 31 minuta, në barazimin e fundit, duke goditur edhe shtyllën, dhe kërkon që të aktivizohet. Sipas “Markës”, Zidan pritet që të bëjë rotacion dhe ish-sulmuesi i Frankfurtit të ketë shansin e tij. Gjithsesi, nuk dihet nëse një dyshe sulmi Benzema-Joviç, mund të dalë e suksesshme, pasi nuk ka qenë e lehtë për Zidanin që ta bëjë këtë gjatë verës.

Sfidanti.al