Ronaldo firmos kontratën: Luaj futboll deri 41 vjeç

Dëshiron të ndjekë gjurmët e Rajan Gigsit apo të “gjyshëve” të mëparshëm të futbollit. Kristiano Ronaldo u shfaq me syze përpara mediave, por problemet me shikimin deklaroi se nuk do ta pengonin për të luajtur futboll deri përtej “moshës së pensionit”. “Do të jem në fushë deri sa të mbush 41 vjeç, – thotë portugezi i Realit, – kjo nuk është kontrata ime e fundit, por e parafundit”.

Kampioni i Europës me Realin dhe Portugalinë nuk duket i shqetësuar që rinovimi i akordit në “Bernabeu” deri në vitin 2021, nuk ia rriti shumë rrogën prej rreth 18-20 milionë eurosh në sezon. Pasi provoi një sukses marramendës me trofe të shumtë dhe tre Topa të Artë, numri 7 provoi edhe dëmtimet dhe duket se është bërë më i thjeshtë.

Synimi i tij është të thyejë rekordet e vetvetes dhe të Realit. Ai ka realizuar më shumë se 500 gola në karrierë dhe shpreson të arrijë në 600 për t’iu afruar gjigandëve si Pushkash, Ziko apo Gerd Myler. Ronaldo është rekordmeni i golave për madrilenët dhe shpreson ta shtyjë sa më larg shifrën.

“Është një ditë speciale për mua, – tha ai pas rinovimit, – nuk është kontrata e fundit. Ju më pyesni nëse unë dua të luaj deri 39 vjeç si Pushkash? Unë dua të luaj deri në 41”.

B. Kuka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *