Mauro Ikardi, autor i një dygolëshi në fitoren 3-0 të Interit ndaj Krotones së vendit të fundit, ka arritur tashmë në kuotën e 10 golave në vetëm 12 javë kampionati, duke qenë “lokomotiva” e një Interi në telashe. Argjentinasi i këtij sezoni duket shumë herë më mirë sesa vjet, kur arrinte kuotën e 10 golave vetëm në muajin shkurt, apo pas 22 javësh kampionati.
“Unë bëj detyrën time, pra shënoj gola”, thotë kapiteni i Interit pas fitores me Krotonen. “Kemi shkuar shumë herë përpara portës, kemi shfrytëzuar disa prej rasteve, kështu që fitorja jonë ishte e padiskutueshme dhe e merituar. Duhej një rezultat i tillë për të sjellë paksa qetësi në grup”.