Kike Setien (domethënë Bartomeu) është i vetëm tek Barcelona!

Një foto domethënëse që mund të shkrepet sa herë që katalanasit kryejnë pushimin për të pirë ujë, në cep të fushës gjatë ndeshjeve. Trajneri i Barcelonës, Kike Setien, shpesh detyrohet t’ia delegojë ndihmësit të tij, Eder Sarabias, këshillat taktike për futbollistët. Shumë lojtarë e injorojnë kur ai flet, mjaft prej tyre pijnë ujë, kthejnë kokën në anën tjetër, apo tregohen të painteresuar kur ai përpiqet të shpjegojë.

Jo rastësisht, Lionel Mesi e kritikoi publikisht disa javë më parë, dhe Luis Suarez e kritikoi pas barazimit me Seltën duke thënë se “për këtë punë janë trajnerët, që të analizojnë përse nuk fitojmë jashtë fushe”. Barça ka 10 ndeshje jashtë fushe, në të cilat nuk ka fituar. Që Setien ishte i dyshimtë si trajner për Barcelonën, kjo dihej që kur erdhi, ndonëse theksi u vu tek stili i tij i lojës që i ngjante atij të Krujfit. Përvoja e paktë në nivel të lartë duket se po e pengon. Por, në Barcelonën e sotme, më i vetmuar është njeriu që e zgjodhi Setienin, presidenti Bartomeu. Ai është sulmuar hapur nga Mesi, është diskredituar nga mediat, dhe sa kohë që ai nuk jep dorëheqjen, gjërat në skuadër duket se do të shkojnë më keq.

Sfidanti.al