Flitet për Murinjon, por Zidan ka projektin 150-milionësh “Pogba”!

Nuk do të ishte pak të thuhej se shpesh futbolli kthehet në një “Kullë të Babelit”, veçse moderne. Një kaos i vërtetë jepet për Realin e Madridit, ku secili duket se bën lojën e tij, presidenti, trajneri dhe disa nga lojtarët. Nëse mediat shkruajnë se Zhoze Murinjo do të jetë në mënyrë të pashmangshme në stolin madrilen, njeriu që aktualisht është i ulur aty, Zinedin Zidan, ka plane të tjera. “Eldesmarke” njofton se francezi po bën gati një ofertë të madhe për Mançester Junajtidin, në mënyrë që të sigurojë atë që nuk e mori dot në verë, Pol Pogbanë.

Junajtid kërkon 180 milionë paundë stërlina, gati 200 milionë euro, diçka që Reali nuk pati ndërmend ta paguante, ndërsa tani Zidan ka një “paketë” që përfshin Garet Bejlin dhe 85 milionë paundë stërlina, që do të thotë diçka më pak se 100 milionë euro. Nuk dihet sesi do të pritet në “Old Traford” kjo ofertë, dhe nëse Zidan do të mbijetojë aq sa duhet në “Bernabeu” për të mbikqyrur operacionin. Bejl është kthyer në formë pas krizës së verës, dhe nëse do të jetë mirë fizikisht, do të jetë tepër i vlefshëm edhe për Premier Ligën angleze.

Sfidanti.al