Barça mendon Havercin? Llogaritë në “Kamp Nou” bëhen në “natyrë”!

Dikur, paraja nuk ishte aq e përhapur sa sot, ndoshta sepse ari dhe argjenti nuk ishin kaq në sasi të madhe, apo edhe për shkak të kulturës së kohës. Në periudhë të rëndë pandemie paraja nis sërish të mungojë, veçse jo për çështje kulture, por sepse “zinxhiri” i punës së bizneseve është shkëputur e dëmtuar keq. Barcelona është një biznes i tillë, dhe po përpiqet t’i kthehet traditës së dikurshme “shkëmbim në natyrë”, “më jep lesh, të të jap triko”. Mediat spanjolle shkruajnë se drejtuesit katalanas mendojnë se një nga operacionet që mund të bëhet është ai për Kai Havercin e Leverkusenit, talentin 20-vjeçar gjerman që vlerësohet lart. Ka shumë admirues për të, përfshi Bajernin e Liverpulin, por në këtë treg është “të kapësh, ç’të kapësh”. Barcelona synon të ofrojë kartonin e 3 lojtarëve për të plotësuar 100 milionë eurot që kërkon Leverkuseni. Këta janë Alenja, Emerson dhe Kukureja.

Sfidanti.al