Mo Salah është “mina me sahat” e Klopit ndaj Sitit

Sa për t’u stërvitur nuk pati të sharë. Mohamed “Mo” Salah ishte së bashku me grupin në seancën e fundit stërvitore të Liverpulit në prag të duelit të kthimit ndaj Sitit në Ligën e Kampionëve. Egjiptiani “magjik” doli pa asnjë problem në tapetin e Qendrës Stërvitore në Melvud, por trajneri Jurgen Klop nuk dha një përgjigje përfundimtare nëse ylli i tij kryesor do të jetë titullar apo jo.

“Do të shikojmë dhe pastaj do të vendosim, – tha gjermani, – Salah është tepër i rëndësishëm për ne, por nuk mund të rrezikojmë. Kryesorja është që u bashkua me ekipin duke qenë në dispozicion”. Salah shënoi gol në fitoren 3-0 të Liverpulit në çerekfinalen e parë në “Anfild”, ndërsa sonte në 20:45 do të vendoset se kush do të jetë gjysmëfinalist i Championsit.

Egjiptiani ka shënuar gjithsej 38 gola këtë sezon, në të gjitha konkurrimet, një më pak se kryesuesit Mesi e Ronaldo, ndërsa është në krye të renditjes së shënuesve më të mirë të Premier Ligës me 29 gola. Bashkë me Mesin, është në krye të renditjes për Këpucën e Artë në Europë.

Liverpuli, pavarësisht nga vështirësia e shortit, ka avantazhin që nuk duhet të udhëtojë shumë, do të ketë thjesht një fluturim të shkurtër brenda Anglisë, ndërsa natën para ndeshjes lojtarët e kaluan në qytetin e tyre.

Sfidanti.al