Humels nuk dëshiron të ndeshet me “mësuesin” Klop dhe Liverpulin

Bajerni i Mynihut padyshim është një nga pretendentët kryesorë për të fituar Championsin, ndërsa dihet që duhet të kalojë pengesa të vështira për t’ia dalë. Gjithsesi, njëri nga lojtarët kryesorë bavarezë, Mats Humels, nuk përmend rivalë të tillë si Barcelona apo Real Madrid, por i trembet më shumë Liverpulit.

“Me Jurgen Klopin kemi qenë bashkë tek Dortmundi, – thotë mbrojtësi, – kemi kaluar shkëlqyeshëm, edhe pse ndodhte që grindeshim. Ai është i drejtpërdrejtë, tepër i hedhur si tip, por shumë i drejtë me lojtarët”. “Askush nuk do të donte të ndeshej me skuadrat e Klopit kur arrijnë nivele të tilla, siç arriti tek Dortmundi, apo tani tek Liverpuli, – vazhdoi Humelsi, – ndodh që ka vështirësi me skuadrat e vogla, por kur luan ndaj më të fortëve, Klop është i jashtëzakonshëm. Liverpuli i tij luan me agresivitet dhe shpejtësi të madhe, ndërsa lojtarët e sulmit janë tepër rrezikshëm”.

Për momentin, Humelsi dhe Klopi janë të ndarë, pasi Bajerni duhet të ndeshet me Seviljen, ndërsa Liverpuli me Mançester Sitin, por ku i dihet, mund të përplasen në gjysmëfinale apo në finalen e madhe në Kiev në 26 maj.

Sfidanti.al