Champions, Kuadrado e Bufon i japin fitoren Juventusit në Francë!

Topin në rrjetë e dërgoi Kuadrado, por më i miri në fushë ishte në skajin tjetër. Xhanluixhi Bufon i ktheu përgjigje kritikëve me pritje të shkëlqyera në fushën e Lionit, dhe Juventusi kaloi në Francë 1-0 duke pasur kualifikimin thuajse në xhep në Ligën e Kampionëve. Kampionët e Italisë vuajtën, siç kanë ditur të bëjnë shpesh skuadrat e këtij vendi në Europë, por ia dolën.

Kartoni i kuq marrë nga Lemina i la torinezët me 10 lojtarë për gjysmë ore, por “kalaja” e Alegrit nuk u dorëzua. Më herët Bufon kishte bërë tre mrekulli, së pari duke pritur penalltinë e Lakazetit, më pas gjuajtjet e Fekirit e Gonalonit. Kuadrado hyri në fushë duke zëvendësuar jo më pak se yllin Dibala, dhe ia shpërbleu besimin Alegrit me një gol shumë të bukur.

Bufon deshi të merrej pas ndeshjes me kritikët që e kishin “masakruar” pas gafave me kombëtaren ndaj Spanjës dhe ndaj Udinezes në kampionat. “Disa deshën që të vinin në funeralin tim, por nuk mundën, – u shpreh numri 1, – kam dëgjuar shumë idiotësi këto ditë. Jam vetë kritik i fortë ndaj vetvetes, dhe nuk kam nevojë të dëgjoj disa që nuk kanë respekt për karrierën time”.

Një gol i vetëm u shënua edhe në ndeshjen tjetër të grupit H, me autor Samir Nasrinë, që i dha suksesin e vogël 1-0 Seviljes në Kroaci ndaj Dinamos. Stadiumi “Maksimir” e përkrahu fort kampionen kroate, por ish-lojtari i Mançester Sitit përcaktoi fatin në 37’. Juventus e Sevilja kanë nga 7 pikë, por gjithashtu duhet të presin ndeshjet e radhës për t’u kualifikuar, pasi Lioni është 4 pikë pas.

B. Kuka