Roben pa doreza: Guardiola apo Ançeloti? Pep ishte manjak!

Arjen Roben është një nga ata që duhen dëgjuar kur flet për futbollin. Holandezit të fundit “fluturues” iu kërkua nga gazeta spanjolle “Marka” të bënte një krahasim mes dy trajnerëve të tij të fundit tek Bajerni. Si qendrojnë pranë njëri-tjetrit Guardiola dhe Ançeloti? Roben e nis me atë që iku.

“Pep ishte njeri i fiksuar pas futbollit, – ishin fjalët e holandezit, – kur vjen puna tek detajet, Guardiola ishte një perfeksionist”. Pra, një manjak i vërtetë. Futbollisti “sallaks” tregon se “kur ishim me Pepin, ne flisnim dhe jetonim me futbollin 24 orë në 24”. “Ne patëm një zhvillim të madh nën drejtimin e tij, – vazhdoi Roben, – tani, ne kemi më shumë alternativa në lojën tonë”. Me “Karleto” Ançelotin gjërat kanë ndryshuar.

“Me Ançelotin ne kemi më shumë liri”, – kalon ai tek italiani, ndërsa e ka të vështirë të dallojë se cili prej tyre mund të quhet më i mirë. “Më pëlqen shumë filozofia e Guardiolës dhe mënyra sesi ai mendon për futbollin, – vlerëson holandezi, – por, me Ançelotin gjithashtu gjithçka është e përsosur”. Në të vërtetë, pati disa kritika pas 3 barazimeve radhazi, derisa erdhi fitorja ndaj PSV Ajndhovenit në Champions.

Roben luan për Bajernin që nga viti 2009 dhe ka fituar 14 trofe. Nuk dihet sesa do të jetë në gjendje të vazhdojë në Mynih. Kontrata e tij përfundon në mbyllje të këtij sezoni, por Arjen ka nisur bisedimet për rinovimin.

B. Kuka