Mos vallë Bajerni e nënvleftëson Bundesligën, Mateusi e quan problem

Mund të fitosh thellë dhe bindshëm dy ndeshje në Europë, dhe të mos jesh në gjendje të kalosh kundërshtarë, dikur relativisht të lehtë, në Gjermani. Bajerni ndryshoi shumë nga skuadra që triumfoi 7-2 në Londër ndaj Totenhemit, në atë që “hëngri dru” në shtëpi me Hofenhajmin në Bundesligë, dhe legjenda Lotar Mateus ka vendosur që gjithë kësaj t’i verë një emër.

“Bajerni ka një problem psikologjik, një dobësi mendore, – shkruajti ai në analizën e tij në “Skaj Sport”, – shkëlqen në Europë, por sërish nuk kalon dot as Hertën dhe as Hofenhajmin. Është një problem në kokë. Nuk është problemi tek rreshtimi apo formacioni i trajnerit Niko Kovaç, ai bëri gjithçka siç duhet, pasi nuk mund të luhet pa rotacion”. Duket se problemi tek bavarezët është se ata janë shumë të fiksuar pas Championsit, që nuk e fitojnë prej vitit 2013, aq sa nuk po mendojnë sa duhet për Bundesligën, që e kanë pasur këta vjet si “bukë e djathtë”.

Sfidanti.al