Lojtari i Bundesligës, Kilian, tregon luftën me koronavirusin

Ai është vetëm 20 vjeç dhe mosha e re padyshim që mund ta ketë ndihmuar. Luka Kilian, futbollist i klubit të Bundesligës, Paderborn, e kaloi kalvarin e koronavirusit, ndërsa tani për fat është më mirë. Ai tregon luftën e tij, cituar nga revista “Sport Bild”, dhe thotë se gjithçka nisi si një gjë e vogël. “në 10 mars pata një gërricje të lehtë të fytit, por kuptohet që nuk i dhashë rëndësi, – thotë ai, – një ditë më vonë pata dhimbje koke, por sërish vazhdova stërvitjen, veçse në 12 mars, nisa të ndjej të nxehtë dhe shkova menjëherë tek mjeku i ekipit”.

Pas kësaj, Lukës i bënë testin dhe të nesërmen, në 13 mars, u konfirmua se ai kishte koronavirus. Doktori Hans Valter Hemen u kujdes për të, por gjithsesi virusi do të bënte të vetën. “Pata ethe, temperaturë, dridhje dhe dhimbje, – shprehet shoku i skuadrës i Klaus Gjasulës, lojtarit të Shqipërisë, – pas katër ditësh, gjithsesi, nisa të bëhesha më mirë, ethet kaluan dhe virusi është duke u shuar. Unë jam ndjerë çdo ditë e më mirë”. Gjatë atyre ditëve, ai u izolua në shtëpinë e prindërve dhe mamaja e tij, që është infermiere, u kujdes për të.

Sfidanti.al