Është talent, është gjermano-turk, por pëlqen skandalet!

Quhet Sinan Kurt, gjerman me origjinë nga Turqia, dhe cilësohet si një nga futbollistët e rinj më të mirë të Gjermanisë. Ky djalë që ka mbushur pak kohë më parë 20 vjeç, për fat të keq, nuk po spikat vetëm për lojën me top, por edhe për skandalet që po krijon. Më i fundit është ai i postimit të fotove të organit të tij seksual në rrjetet sociale. Sinani e pati keq punën me drejtësinë gjermane, pasi ato foto i ishin dërguar një vajze të mitur, dhe prindërit e saj e dërguan në gjyq. Kurt u gjobit me 20 000 euro, baraz me rrogën e tij mujore tek Herta e Berlinit, dhe sjelljet jo normale mund t’i kushtojnë rëndë në karrierë.

Mania e tij e protagonizmit i ka prishur punë edhe më parë. Kurt e nisi karrierën tek Borusia e Mynshengladbahut, ndërsa më pas kaloi tek Bajerni i Mynihut. Klubi bavarez nënshkroi kontratë 4-vjeçare me talentin 18-vjeçar, por u detyrua ta përzinte në janar të këtij viti. Arsyeja? Kurt mori me qira një helikopter për të shkuar në Montekarlo, dhe 1200 eurot e shpenzuara vetëm për 75 km nuk i pëlqyen aspak drejtuesve të Bajernit. Kampionët e kaluan tek Herta, me të cilën ka kontratë deri në 2019, por gjithçka po i shkon keq. Në 7 ndeshje të Bundesligës deri tani, ai ka hyrë në fushë vetëm për … 1 minutë.

B. Kuka