Çfarë bote “jallane”, Bajerni u gdhi “piperkë”, u ngrys “patëllxhane”!

Le t’i lemë mënjanë teoritë konspirative që nuk na ndihmojnë dot sot. Le të themi atë tjetrën që jetës, po ashtu futbollit, asnjëherë nuk i dihet, dhe kur luan në nivele të larta edhe mund të “thyesh hundët”. Kështu i ndodhi Bajernit që, pas triumfit 7-2 ndaj Totenhemit në Champions, pësoi një humbje të rëndë 1-2 brenda në “Alianc Arena” ndaj Hofenhajmit.

Atë që nuk e bëri dot Harri Kejni, e realizoi një djalosh nga Armenia, me emrin Sargis Adamian, shënues i të dy golave ndaj kampionëve. Nuk mjaftoi goli i zakonshëm i Robert Levandovskit. Polaku thuajse asnjëherë nuk zhgënjen, por ekipi i tij ndodh që e bën. Çfarë do të thonë tani për Niko Kovaçin, që po paraqitej si “gjeneral” që bën ligjin në një skuadër “gjelash”. Të gjitha janë fjalë të parakohëshme, pasi e ardhmja në futboll është e vështirë të parashikohet ditë pas dite.

Sidoqoftë, edhe pas humbjes, Bajerni mbetet në kryesim të Bundesligës me 14 pikë. Janë plot 4 skuadra në të njëjtën kuotë pikësh, po aty nuk ka vend për Dortmundin. Borusia e trajnerit Lysien Favre, nuk di të mbajë asnjë rezultat, ndërsa i ka shumë për zemër barazimet 2-2, dhe pësimin e golave në fund. Kur u mendua se po fitonte 2-1 në fushën e Frajburgut, erdhi rrjeta e shënuar nga Manuel Akanji (autogol) në 89’.

Renditja: Bajerni 14, Frajburgu 14, Lajpcigu 14, Leverkuseni 13, Shalke 13, Dortmundi 12.

Sfidanti.al