Barça merr Zhunior Firpon, po a ka vend për Nejmarin?

Barcelona e promovoi edhe zyrtarisht përforcimin e saj më të ri, Zhunior Firpo, që vjen nga Betisi, të cilit do t’i paguhen 18 milionë euro plus një numër bonusesh me vlerë prej 12 milionë eurosh. Mbrojtësi i majtë 22-vjeçar nënshkroi një kontratë pesëvjeçare me klubin katalonjas me një klauzolë të pazakontë shitblerjeje prej 200 milionë eurosh. Sezonin e kaluar, Firpo luajti mjaft mirë, duke tërhequr vëmëndjen e disa klubeve të mëdhenj, në radhë të parë të atyre spanjollë. Ai gjithashtu luajti në përbërje të përfaqësueses spanjolle në Evropianin U21, ku ngriti trofeun e kampionit kontinental.

Barcelona gjatë këtij sezoni veror transferimesh tanimë ka sjellë në “Kamp Nou” Antoan Grizmanin nga Atletiko e Madridit dhe Frenki de Jong nga Ajaksi, duke paguar për ta shumën e përgjithshme prej 195 milionë eurosh, kështu që vetvetiu lind pyetja, nëse në klubin katalonjas ka akoma vend dhe, ç’është më e rëndësishmja, para për kthimin e Nejmarit te Barça?

Sfidanti.al