Anglia me tren në “Uembli”, e pret armiqësia e vjetër me Skocinë!

Trajneri Garet Sauthgejt ka gjetur një mënyrë origjinale për të shkuar në stadiumin “Uembli”, e për të bërë stërvitjen e fundit përpara ndeshjes ndaj Skocisë në Botëror. Skuadra angleze priti trenin, në stacionin Lihfild Trent Vallej, përpara lagjes së njohur londineze dhe udhëtoi me me hekurudhë drejt impiantit supermodern. Pra, përveç ministrave dhe deputetëve që përdorin mjetet e transportit urban si metronë, apo mjete pa motor si biçikleta dhe patina, ja edhe milionerët e klubeve të Premier Ligës vendosin të provojnë diçka ndryshe. Makinat mjaft të shtrenjta të tyre janë parkuar nëpër shtëpi, por edhe autobusi i zakonshëm i Anglisë nuk u preferua këtë herë. Gjithsesi, biletat e trenit ishin të klasit të parë.
Anglia luan ndaj “Auld Enemy” (Armikut të Vjetër), Skocisë këtë të premte, në një ndeshje ndoshta përcaktuese në eleminatoret e Botërorit, në grupin F. Trajneri Sauthgejt ka konfirmuar se Uejn Runi do të jetë titullar, ndonëse nuk ishte në formacion ndaj Sllovenisë. Skuadra angleze nuk ka probleme dëmtimesh, me përjashtim të atyre që janë larguar që më parë, si Drinkuotër dhe portieri Frejzër, ndërsa ka 7 pikë në renditje, pas fitoreve në Sllovaki dhe ndaj Maltës, dhe barazimit 0-0 në Slloveni.
B. Kuka