Të gjuash apo të mos gjuash, Kompani i heq veshin të rinjve të Sitit

“Të jesh apo të mos jesh, kjo është çështja”, ishte batuta e famshme e personazhit më të famshëm të Shekspirit, Hamletit. “Të gjuash apo të mos gjuash” është një nga dilemat e mëdha të futbollit, kur vjen puna tek momentet vendimtare. Gjithsesi, Vinsent Kompani nuk e pati aspak këtë mëdyshje, kur mori përsipër të godiste portën e Leisterit, duke shënuar golin e fitores në ndeshjen e parafundit të Premier Ligës.

Kapiteni i Mançester Sitit e preu “nyjën gordiane” me “shpatë”, që do të thotë e zgjidhi momentin me një gjuajtje të shkëlqyer nga distanca që nuk i la shanse portierit shumë të mirë, Kasper Shmajkel. Në konferencën pas ndeshjes, ai pati një batutë, e cila duket se iu drejtuar shokëve të skuadrës. “Unë nuk kam luajtur kaq vite futboll dhe nuk kam arritur deri këtu, që të më thonë të rinjtë nëse do të gjuaj apo jo”, – ishin fjalët e qendërmbrojtësit belg.

Vetë sulmuesi Kun Aguero pohoi pas ndeshjes se i kishte thënë Kompanisë “jo Vini, mos gjuaj”. Vetë Kompani shtoi se “u bë shumë konfuzion sepse të gjithë po më thonin të mos gjuaja, por unë kam 15 vjet në futboll dhe kam shënuar gola të tillë në stërvitje”. Siti kryeson Premier Ligën me 95 pikë ndaj 94 të Liverpulit, kur mbetet edhe një javë për t’u luajtur.

Sfidanti.al