Fitorja e fundit ishte këtë të diel 4-0 dhe ndaj një rivali jo edhe aq për t’u hedhur poshtë. Gllazgou Rejnxhërsi konfirmoi formën e madhe në Premier Ligën e Skocisë dhe vendin e parë me 11 pikë epërsi ndaj rivalit të tij “vdekësor”, Sëlltik. Në stol, Stiven Xherrardi duket njeriu i duhur për të kthyer lavdinë, një anglez po aq i madh sa ishin të mëdhenj skocezët Bill Shenkli tek Liverpuli e Sër Aleks Fergusoni tek Mançester Junajtidi. Të kuptohemi, Rejnxhërs ka luajtur 2 ndeshje më shumë së Sëlltiku, por duket shumë më lart, me 13 fitore e 2 barazime në 15 ndeshje, me 41 gola të shënuar e vetëm 3 të pësuar. Sëlltiku është në shifrat e golave 34-13. Pas 11 vjetësh, Rejnxhërsi mund të dalë më në fund kampion i Skocisë, që do të ishte titulli i 55-të, një rekord europian.
Natyrisht, Europa është ëndrra tjetër e madhe, madje më afatgjata, dhe Xherrardi vetë është nga ata së e dinë se çfarë është sfida në kontinent. Jo më kot fitoi Championsin me Liverpulin në 2005, Kupën UEFA në 2001 si dhe Superkupën e Europës në 2001 e 2005, ndërsa humbi finalen e Championsit në 2007. Rejnxhërsi ka fituar të vetmin trofe europian në 1972, një Kupë të Kupave, pasi kishte humbur dy finale në 1961 e 1967. Në 2008, Rejnxhërsi humbi finalen e Kupës UEFA në 2008. Tifozët e shumtë e duan suksesin, mjafton të thuhet se në 2008, plot 200 000 tifozë të “policëve” erdhën në finalen e Kupës UEFA në Mançester. Këtë sezon “blutë” po ecin mirë në Ligën e Europës, duke arritur në fazën e grupeve pas kalimit të tre tureve eleminatorë ndaj Linkolnit (5-0), Villemit II të Holandës (4-0) dhe Gallatasarajit (2-1). Në grup, skuadra e Xherrardit ka 2 fitore e një barazim duke qenë në vend të parë me 7 pikë, po aq sa Benfika.
Sfidanti.al