Shuhet legjenda Ahmet Golemi, boksier, shkrimtar, gazetar, komentator, dhe i vuajturi i burgjeve politike!

Ishte jo vetëm një njeri i sportit, por edhe më shumë. Ahmet Golemi, ish-boksier, shkrimtar, gazetar dhe komentator televiziv, u shua në moshën 85-vjeçare në Tiranë, duke lënë pas emrin e tij të shkëlqyer. i lindur në 1936, Golemi ishte një nga boksierët më të mirë në vend në vitet 50-të e 60-të, duke u shpallur pesë herë kampion kombëtar. Karrierën e nisi tek Shtëpia e Pionierit me trajnerin e shquar Ali Kastrati, ndërsa fitoi titullin për të rinj në 1951 në Elbasan. Karrierën e boksit e la në 1964, kur në Shqipëria u vendos ndalimi i këtij sporti pas vdekjes së një djali të ri.

Përveçse boksier, Golemi kishte talent letrar dhe botoi disa vepra në vitet 60-të e 70-të, si “Përbindëshi i Bardhë”, “Fundi i dorezave të zeza”, “Humbja e parë”, “Pasionet” apo “Elektricisti i turnit”. Pasioni për boksin vazhdoi dhe në vitet 70-të ndiqte ndeshjet ndërkombëtare, mes të cilave atë që u quajt Ndeshja e Shekullit mes Muhamed Aliut dhe Xhorxh Foremanit. Propaganda e tij e hapur për boksin, si dhe akuza për gabime ideologjike në veprat e tij letrate ndikuan që të dënohej me 5 vjet heqje lirie në 1979, ndërsa pas amnistrisë në 1982, u burgos sërish. Ahmet Golemi u dallua edhe në gazetari që në kohën e kaluar, përpara sesa të burgosej, ndërsa ka qenë komentator i boksit në vitet 90-të e më pas.

Sfidanti.al