Sa e sa herë u nënvleftësua, me Realin që trokiti në derën e Man. Junajtidit e të Çelsit për David De Gean e për Tibo Kurtuanë? Kejlor Navas, ai që shkëlqeu në Botërorin 2014 në Brazil, nuk u mërzit asnjëherë, por e tregoi veten atëherë kur duhet.
Në një nga ndeshjet më të vështira të Epokës “Zidan”, portieri i mrekullueshëm u shfaq në versionin e tij më të mirë. Navas bëri 8 pritje shpëtimtare, njërën më të bukur se tjetrën, duke ndaluar Hames Rodrigezin, Tolisonë, Robert Levandovskin apo Tomas Mylerin, sa për të përmendur disa nga yjet e Bajernit.
Gazeta “Marka” e quajti menjëherë “Shën Kejlor Navas”, duke theksuar se i tillë është portieri i Realit, herë bën gabime, por më shpesh shkëlqen. Edhe Bajerni bëri një koment në rrjetet sociale, duke shkruar “Mjaft duke i pritur të gjitha, Kejlor Navas”. “Jam shumë i lumtur dhe falenderoj Zotin që ia dolëm, – tha ai, pas ndeshjes, – një ndeshje shumë e vështirë. Bajerni na bëri të vuajmë, por nuk u dorëzuam kurrë dhe shpresoj të jemi me të njëjtin mentalitet në Kiev”.
Sfidanti.al