“Prefiksi” i ri i Halandit është 6-6-51-48, pas 3 golave për Norvegjinë!

Mezi ka mbushur 20 vjeç, por ka thuajse 100 rrjeta si futbollist. i tillë sulmuesi i Norvegjisë, Erling Haland që arriti në 6 gola në 6 ndeshje për kombëtaren, pas trigolëshit në portën e Rumanisë në ndeshjen e Ligës së Kombeve. Një yll i prerë për të qenë pjesë e klubeve të mëdhenj, ndërsa po i ngjit shpejt shkallët e karrierës. Nga Brune në kategorinë e tretë norvegjeze kur ishte 15 vjeç, nëpër Molden, Salcburgun e tani Dortmundin. Me gjasë, do të jetë pjesë e Bajernit, Realit apo ndoshta e Mançester Junajtidit kur të rritet edhe pak.

“Prefiksi” i tij i golit tani është 6-6-51-48. Kjo do të thotë se ka 6 goditje të sakta me fanelën e Norvegjisë në 6 ndeshje, dhe ka 51 gola në 48 ndeshjet e fundit, për kombëtaren dhe klubin. Një mesatare që mund ta kenë vetëm Ronaldo e Mesi (deri një vit më parë) dhe që këtë sezon e ka pasur Robert Levandovski. Një meritë të veçantë në tregolësh pati mesfushori i Realit, Martin Odegard, që i dha dy asiste. Për më tepër, Halandi humbi edhe dy raste të pastër vetëm për vetëm me portierin, por gjithsesi e mori me vete topin e ndeshjes. “Duhet ta falenderoj atë (Odegardin) sado pak, – tha Halandi, – më në fund, ai erdhi në vete dhe e pasoi topin tek unë. Thjesht mund ta ndaj topin më dysh me të”.

Sfidanti.al