Patricia në histori, e para grua trajnere e meshkujve në futboll!

Quhet Patricia Paniko dhe do të hyjë në histori si e vetmja femër që do të drejtojë një skuadër meshkujsh në futboll. Në të ardhmen mund të ketë të tjera, por e para është pikërisht ish-kampionia 42-vjeçare italiane, që do të udhëheqë Italinë U16 në dy ndeshje miqësore ndaj Gjermanisë. Paniko është ndihmëse e trajnerit kryesor, Daniele Zorato, i cili do të drejtojë kombëtaren italiane U19 në Raundin Elitë të Kampionatit Europian.

Femra e parë që do të drejtojë meshkujt nuk është një emër dosido. Paniko ka dalë 10 herë kampione e Italisë si futbolliste, ka shënuar 110 gola për kombëtaren dhe ka realizuar gati 700 herë për skuadrat e klubeve, me mesatare më shumë se 1 gol për ndeshje. Ajo do të jetë në stol për të kaltrit në miqësoret e 22 dhe 24 marsit.

“Nuk e dija që Zorato nuk do të ishte në këto dy ndeshje, – tha ajo pyetur nga gazetarët, – por zgjedhja më duket e drejtë pasi unë jam ndihmësja e tij. Gjithsesi, mendoj se duhen rrëzuar ende shumë mure dhe ky vendim do të ndihmojë që të rrëzohen”.

Sfidanti.al