Nuk do ta harrohet kurrë, madje do të kujtohet sa herë të kemi nevojë për një të qeshur apo për një të qarë, ajo shprehja e shefit të arbitrave, Tahir Kastrati në Asamble. Futini në kasetë këto fjalë: “ Troç muhabeti, nëse nuk bashkëpunojnë klubet, me një fjalë presidentët e tyre, mos prisni të ketë drejtësi për punën e arbitrave. Boll me korruspion, hiqni dorë nga manovrat me arbitrat”. Më në fund, edhe në Asamble, pranohet publikisht që zarfet, ose qeskat me para shkojnë tek “engjëjt e fushës”, dhe fajtorë janë vetëm presidentët , ndërkohë, mbrohen arbitrat, ata të gjorët që janë aq të pafajshëm , sa nuk kanë zemër ta kthejnë mbrapsht ..korrupsionin. Në një kampionat ku arbitrat kanë katapultuar ylberin e gabimeve njerëzore, ku spikasin edhe gabime teknike, shefi i tyre pozon publikisht me një thirrje të shtirur : Boll me korrupsion!Në atë moment, të gjithë asamblistët kanë dhuruar nga një buzëqeshje, sepse e dinë fort mirë se bilbili këndon për presidentët, vetëm në ato raste kur urdheri nga sipër e lejon paranë që ta “hedhë ndeshjen përpjetë, dhe jo ujin si te kënga”
Sa herë që shijojmë Asamblenë me bujën e saj, futbolli të ngjason me një minierë që nuk shteron kurrë nga xhevairet dhe perlat, të cilët edhe pse janë falso, na duken sikur të jenë 24 karatshe. Dëgjoni fjalët prekëse të shefit të arbitrave në një moment “sinqeriteti”: “ Federata më ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për arbitrat, me fonde të fuqishme si asnjëherë tjetër”. Pra, e thotë vetë zoti Tahir, se arbitrat marrin nga të dy krahët, edhe nga presidentët, edhe nga Federata. Nga njëra anë luan të ndershmin me shprehjen “boll u dhatë para arbitrave” ( kur thotë boll me korruspion) nga ana tjetër lëvdon FSHF-në që harxhon 1 milion euro në sezon për arbitrat, një shifër me të cilën mburremi, edhe pse investimi duket ireal.. Për hir të së vërtetës, po hedhim shumë para dhe vendimet janë “veshur”me të zeza. Dikur thonin se sa më shumë t’i motivojmë arbitrat, aq më nder do të kenë dhe korrupsioni do të dorëzohet më në fund..Siç duken bathët, ora punon për arbitrat në lojën tonë, dhe këtë e mbajnë gjallë të dyja krahët, presidentët nga njëra anë edhe zyrtarët , ata që kombinojnë mrekullisht këtë marifet fitimprurës.. Aq sa një president i lodhur nga xhepat ,paska thënë me humor se kur t’i mbarojnë paratë do të marrë bilbilin, sepse është e vetmja mënyrë ku loja të nxjerr fitues dhe jo humbës.
Sfidanti.al