Nuk ka klauzolë revanshi Golovkin-Alvarez? Po pastaj?!

Ish-ambasadori britanik në Shqipëri në vitet 20-të tregonte një moment kur ministri i brendshëm i asaj kohe, Ahmet Zogu, dhe një nga bajraktarët e Dibrës, Elez Isufi, u takuan si armiq dhe bënë marrëveshje vetëm duke tokur kokat me njëri-tjetrin e duke i dhënë dorën. “Në këtë vend, marrëveshjet arrihen pa kontratë dhe pa firmosur”, – shkruante ambasadori i fuqisë më të madhe koloniale të kohës, i cili ishte mësuar ndryshe.

Duket se edhe boksierët Kanelo Alvarez dhe Genadi Golovkin po i ngjajnë dy shqiptarëve të njohur të së kaluarës, duke u marrë vesh për një ndeshje revanshi mes tyre, pa pasur një klauzolë të tillë në kontratën e ndeshjes së parë. Përballja e shkuar në Las Vegas përfundoi në barazim (sipas gjyqtarëve), por mendimi i përgjithshëm ishte që Genadi Genadijeviç Golovkin (GGG) me të vërtetë fitoi.

Meksikani Alvarez ra dakord për të luajtur rindeshjen dhe nga kampi i boksierit nga Kazakistani nuk ka asnjë vërejtje. Kjo përballje e re mund të jetë në 5 maj sërish në “T-Mobile Arena” në Las Vegas, aty ku u luajt edhe e para, që doli një ndeshje e madhe.

Sfidanti.al