Me të vërtetë, interesimi për të po arrin kuota maksimale. Armando Broja jo më kot pati një sezon të kaluar shumë të mirë, me 9 gola për Sauthemptonin, ndaj edhe shumë klube po e kërkojnë këtë verë. Pretendenti më serioz duket Njukasëlli, që është fuqizuar shumë nga ana financiare me milionat e siguruara nga familja mbretërore saudite. Pikërisht ky klub i Premier Ligës po mendon t’i bëjë një ofertë Çelsit për Brojën, duke hyrë në një garë që është tepër e fortë. Nuk dihet sesa mund të jetë oferta financiare, por padyshim që do të arrijë të paktën në 30 milionë paundë stërlina. Njukasëlli është forcuar me afrimin e disa lojtarëve dhe do të pretendojë të kualifikohet të paktën për në Champions sezonin e ardhshëm, pra të jetë një nga 4 skuadrat më të forta në Angli.
Vetë sulmuesi i kombëtares shqiptare është duke u stërvitur në mënyrë individuale në kompleksin sportiv të Çelsit në Londër, në pritje të qartësimit të së ardhmes. Për 20-vjeçarin ka interes edhe nga dy klube të tjerë të Premier Ligës si Uest Hemi dhe Leisteri, nga Napoli në Itali dhe nga Ajaksi i Amsterdamit. Çfarë pritet të bëjë Çelsi përpara kaq shumë kërkesave? Besohet se trajneri Tomas Tuhel do ta shohë nga afër Brojën gjatë fazës përgatitore dhe që të dyja mundësitë janë të hapura, që sulmuesi ta bindë trajnerin dhe të qendrojë tek Çelsi, ose që të largohet për tek Njukasëlli ose Uest Hemi.
Sfidanti.al