Kemi qenë mjaft të pranishëm, por vazhdojmë të shtohemi. Në Serinë A do të luajë një tjetër shqiptar dhe ky është Marvin Çuni. Sulmuesi 21-vjeçar, që pret të mbushë 22 në korrik, pas eksperiencave në vendin e tij të lindjes, Gjermani, do të kalojë tek Frozinone, skuadra e sapongjitur në elitën italiane. Çuni ka qenë futbollist i Bajernit të Mynihut, duke luajtur për ekipet e moshave të Akademisë, ndërsa sezonet e fundit është huazuar në Bundesligën e dytë dhe të tretë për të marrë përvojë.
Sezonin e kaluar me Zarbrykenin ishte i dalluar duke shënuar 9 gola, pavarësisht moshës së re. Marrëveshja mes Bajernit dhe Frozinones u arrit mbi bazën e shitjes së 50 për qind të kartonit, ndërsa gjysmën tjetër do ta mbajnë bavarezët. Çuni vlerësohet si sulmues shtatlartë, duke qenë i gjatë 1.88 metra, i fuqishëm fizikisht, por edhe i talentuar në veprimet me topin. Ai pëlqen të niset nga larg zonës për t’i përfunduar aksionet pranë portës.
Sulmuesi 21-vjeçar ka luajtur 6 ndeshje e ka shënuar 2 gola për Shqipërinë U19. Frozinone, ndërkaq, u shpall kampione e Serisë B, duke lënë pas ekipe të njohur si Xhenoa, Bari, Parma apo Kaljari, dhe shpreson të ketë një skuadër të fortë për të mbijetuar në elitën italiane.
Sfidanti.al