Mani Pakiao synon rekordet e Hopkinsit dhe Xhorxh Foremanit

Mosha është një pengesë, dhe çfarë pengese, por për gjigandët e vërtetë të boksit, duket se nuk është plotësisht kështu. Manuel “Mani” Pakiao dha një shembull duke fituar titullin botëror në peshat e mesme të boksit profesionist, ndërsa e ka kaluar moshën 40-vjeçare. Legjenda filipinase triumfoi bindshëm me pikë ndaj amerikanit Adrien Broner, për të rifituar brezin e artë ËBA. Ndeshja në “MGM Grand Hotel” në Las Vegas u ndoq nga 13 025 spektatorë, në një Arenë të mbushur plot, dhe pikët ishin 117-111, 116-112, 116-112, që të gjitha për Pakiaon, që pati 11 vite më shumë moshë sesa kundërshtari.

Kjo ishte ndeshja e tij e 70-të si profesionist, dhe për më tepër, ai u bashkua me legjendat që kanë dalë kampion mbi 40 vjeç, si Bernard Hopkins dhe Xhorxh Foreman. Hopkins ia doli në moshën 49-vjeçare në vitin 2014, në peshat e lehta, ndërsa “Xhorxhi i madh” Foreman ishte rekordmen deri disa vite më parë, pasi fitoi brezin e artë në moshën 45-vjeçare, në 1994 në peshat e rënda.

Pakiao synon tani një duel tjetër me Flojd Mejuedhërin, i cili e ndoqi ndeshjen në sallë. “I thoni atij që të kthehet në boks dhe, nëse e bën, unë jam gati që të ndeshemi”, – ishin fjalët e filipinasit. Për momentin, Mejuedhër nuk ka bërë ndonjë koment.

Sfidanti.al