Liverpuli fiton, por Firmino e Salah, dyshim për Barcelonën!

U pagua një çmim tepër i lartë për fitoren, por nuk kishte rrugë tjetër. Barcelona edhe mund t’i lejonte vetes të linte në shtëpi Mesin, Suarezin, Pikenë e të tjerët, por Liverpuli nuk e bënte dot, pasi i duhet të luftojë sërish për titullin në Angli. Suksesi u arrit, 3-2 në fushën e Njukasëllit, dhe kjo e mban të hapur garën për Premier Ligën, veçse përveç dëmtimit të Firminos, që ishte i ditur më përpara, ja ku erdhi edhe ai i yllit kryesor, Mohamed Salah.

Egjiptiani u dëmtua në kokë dhe u zëvendësua në minutën e 73-të. Nuk dihet nëse ai do të jetë në gjendje të luajë të martën, ndeshjen e kthimit në Champions kundër Barcelonës. Gjithsesi, për momentin Klopi dhe lojtarët e tij duhet të kënaqen me karakterin e treguar në “Sent Xhejmsis Park”, përballë gati 52 000 tifozëve kundërshtarë. Reagim i madh pas katastrofës (ndoshta të pamerituar) në “Kamp Nou”, falë golave të Van Dajkut, Salahut dhe Origit. Ky i fundit, i dha fitoren ekipit të tij në 86’, pas krosimit të Xherdan Shaqirit. Liverpuli ka 94 pikë në 37 ndeshje, Mançester Siti ka 92 në 36, dhe do të luajë të hënën ndaj Leisterit.

Sfidanti.al