Nëse e bën në Gjermani me Dortmundin, pa dyshim mund t’ia dalësh në Angli me Liverpulin. Jurgen Klopi është njeriu për të cilin të gjithë po flasin në Premier Ligë, pasi të kuqtë janë në krye të renditjes, por nuk bindin plotësisht sepse kanë 29 vjet pa fituar titullin. U arrit deri aty sa të krahasohej ky sezon me edicionin kur Njukasëlli i drejtuar nga Kevin Kigani e humbi titullin ndaj Mançester Junajtidit të Sër Aleks Fergusonit, ndonëse kryesonte me diferencë në fillim të pranverës.
“Natyrisht që ka presion, – u shpreh Klopi, pas fitores 3-0 ndaj Bornmuthit, – të gjithë po flasin për djemtë, por unë shikoj se ata po e përballojnë shumë mirë situatën. Rëndësi ka vetëm që ne të mendojmë se mund t’ia dalim, madje që mund të bëhemi edhe më të mirë se kaq. Arsyet e vetme që ne jemi në krye janë karakteri dhe mentaliteti i këtyre lojtarëve”.
Sadio Mane, Vajnaldum dhe Mohamed Salah shënuan golat në “Anfild” dhe Liverpuli ka tani 65 pikë ndaj 62 të Mançester Sitit. Për fat, Klopit po i kthehen lojtarë nga dëmtimi. U kthye Vajnaldum, Aleksandër Trent-Arnold luajti 14 minuta, Xhordan Hendersoni ishte në stol, pra Klopi mund të bëjë më shumë rotacion në prag edhe të sfidave ndaj Bajernit në Champions.
Sfidanti.al