Italian apo arbëresh? Ka një debat për origjinën e Lionel Mesit!

Kur je i mirë të gjithë duan të të kenë të tyrin. Nuk mund t’i shpëtojë këtij fenomeni as legjenda e futbollit Lionel Mesi, dhe pas origjinës italiane që e trumpetojnë fort në Itali, del që mund të ketë edhe një “damar të fortë” arbëresh, që do të thotë shqiptar. Përtej diskutimeve për ta çuar të vërtetën aty ku dëshirojmë, ka diçka në këtë histori që mund t’i afrohet të vërtetës. Është një peshkop argjentinas i ritit bizantin, Alehandro Greko, me origjinë arbëreshe nga San Benedeto Ulano e Siçilisë, që rreshton disa personalitete në vendin e tij me këtë prejardhje. Për Grekon, edhe mamaja e Mesit, Selia Kucitini, e ndjek ritin katolik bizantin, një lloj besimi me prejardhje ortodokse që është përshtatur me fenë vendase në Itali. Sipas tij, Selia ka vizituar kishën arbëreshe në Buenos Aires.

Ky është një argument i fortë sepse dihet që arbëreshët në Siçili e kanë ruajtur ritin bizantin, që e kanë pasur që kur kanë emigruar nga Shqipëria në kohën e Skënderbeut. Natyrisht, babai i Mesit, Angelo, është me origjinë nga Rekanati në Provincën e Maçeratës në rajonin e Markës, në Italinë qendrore. Natyrisht, ky hulumtim për origjinën e magjistarit të topit është për të gjetur të vërtetën dhe për kënaqësi të shqiptarëve apo italianëve, dhe nuk ka ndikim në klasin e tij. Vetë Mesi nuk është se është duke menduar për këto gjëra, por po përgatitet për finalen e Kupës së Botës në Katar ndaj Francës, mundësia ndoshta e tij e fundit në karrierë për të fituar titullin.

Sfidanti.al