I lumtur tek Çelsi, por Diego Kosta ka mall për derbin e Madridit!

Nëse do të kishte mundësi të luante përballjen Atletiko-Real, atëherë gjithçka do të kishte qenë e përsosur. Diego Kostës i mungon vetëm kjo përballje, ndërsa vazhdon i lumtur karrierën tek Çelsi. Sulmuesi brazilian i natyralizuar spanjoll, do të kishte vetëm një kërkesë, që në kalendarin e Çelsit të ishte edhe derbi i Madridit, ku ai natyrisht të vishte fanelën e Atletikos. “Derbi është ndeshja që më ka pëlqyer më shumë se të gjitha të tjerat, – shprehet ai, – kam mall të përplasem edhe një herë me mbrojtësit e Realit, Sergio Ramos e Pepe”. Kosta tregon se sharjet dhe shkelmat ishin gjëra normale, që shpesh nuk kapeshin nga kamerat, por të gjitha fashiteshin sapo përfundonte përballja në “Visente Kalderon” dhe në “Santiago Bernabeu”. Kosta për pak u kthye gjatë verës tek Atletiko, i kërkuar nga trajneri Simeone, por Antonio Konte, me të ardhur në “Stemford Brixh”, vuri veton dhe nuk e lejoi të largohej.

Sfidanti.al