“Hesapet sllovene” u lanë në Turin e Francës, Pogaçar triumfon në kronometrin e fundit!

Kurrë ndonjë herë një çiklist nga vendi i vogël ballkanas nuk ia ka dalë ta fitojë garën më të madhe të çiklizmit në botë. Gjithsesi, tabutë u thyen që vjet kur fitoi kolumbiani i parë, Egan Bernal, dhe kjo u përsërit tani. Gara e këtij sezoni ishte mes dy sllovenëve, Primozh Rogliç e Tadej Pogaçar. i pari kryesonte dhe e kishte mbajtur Fanelën e Verdhë thuajse gjatë gjithë kohës, por gjithçka u përmbys në etapën e parafundit, kronometër individuale. Pogaçar fitoi gati 2 minuta ndaj patriotit të tij (1’56”), saqë tani mban Fanelën e Verdhë me 59 sekonda më shumë. Kjo quhet praktikisht fitore sepse etapa e fundit është shëtitja tradicionale nëpër rrugët e kryeqytetit të Francës, Paris. Në përfundim, Pogaçari vlerësoi lart Rogliçin: “Primozhi ishte çiklisti më i mirë në këtë tur, – tha ai, – kryesoi gjatë gjithë kohës dhe ka një ekip shumë të mirë. E respektoj sepse është shok i mirë, dhe më vjen shumë keq për humbjen, por ky është çiklizmi, në fund që të gjithë duam që të fitojmë”.

Sfidanti.al