Ole Gunar Solskjer natyrisht nuk kishte sesi të fliste publikisht për këto gjëra pas humbjes së “djajve të kuq” në nisje të kampionatit anglez. Në të kundërt, trajneri norvegjez theksoi se humbja 1-3 ndaj Kristël Palasit në “Old Traford” ishte vetëm një ditë “jo”. “Këta djem mund të luajnë shumë më mirë dhe do të luajnë shumë më mirë, pa dyshim, – tha ai, – ishte një ditë e keqe dhe kaq. Fatkeqësisht ne e kemi mbyllur sezonin e kaluar më vonë se skuadrat e tjera dhe jemi prapa në përgatitje”. Gjithsesi, tek Mançester Junajtidi ndikuan edhe faktorë të tjerë. Kush mund ta harrojë kaq shpejt arrestimin dhe gjyqin turpërues për kapitenin Megajer në Greqi? Po skandalin e adoleshentit Mejzën Grinvud me femrat në Islandë? Uinfrid Zaha shënoi dy herë, ndërsa mbrojtja e Junajtidit u duk e dobët, po ashtu edhe sulmi. Vetëm holandezi Van de Bek shkëlqeu pas pushimit duke shënuar edhe golin e vetëm.
Sfidanti.al