Gjigandi Hauard bën diçka që rrallë shikohet në NBA

Duajt Hauard jo vetëm ndihmoi ekipin e tij, Sharlotën, që të fitonte një përballje shumë të vështirë, por edhe bëri diçka që nuk ndodh shpesh në NBA. Ai ishte lojtari më i mirë i takimit me 32 pikë dhe me 30 topa të kapur në tabela. Kishte 8 vjet që kjo nuk ishte parë në basketbollin amerikan, që kur Kevin Lov shënoi 31 pikë dhe kapi 31 topa në tabela, ndërsa luante për Minesotën.

Që nga 1973-shi, pra prej 45 vjetësh, vetëm pesë lojtarë ia kanë dalë kësaj në NBA dhe këta janë Elvin Hajes (1973) me 43 pikë e 32 tabela, Suin Nejtër (1976) me 30-33, Mozes Malouni (1982) me 38-33, si dhe Kevin Lov e Duajt Hauard.

Në të vërtetë, liga më e fortë e botës e ka parë shumë shpesh këtë nivel të lartë, plot 132 herë, veçse nuk duhet harruar se 103 herë e ka bërë vetëm njëri, “egërsira” Uilti Çembërlen, ndërsa shumë herë të tjera e ka bërë legjenda Bill Rasëll.

Me ndihmën e Hauardit dhe të Kimba Uolkerit (24 pikë, 6 asistë, 6 tabela), Sharlota tejkaloi deficitin prej 23 pikësh për të triumfuar 115-105 ndaj Bruklin Netsit.

Sfidanti.al