Natyrisht, nuk ia vlen të nisin mburrjet dhe lavdërimet sesa e fortë është skuadra e Jurgen Klopit. Jo vetëm sepse mezi triumfoi në minutën e parafundit falë golit të një mbrojtësi, dhe sepse vinte pas një katastrofe 1-4 në Itali ndaj Napolit. Së pari, Liverpuli nuk duhet të ketë vetëkënaqësi sepse po luante ndaj një ekipi si Ajaksi që humbi 8-9 lojtarë këtë verë me vlerë rreth 250 milionë euro, dhe i zëvendësoi me nja 8-9 të tjerë duke shpenzuar 100 milionë. Nga një “transfuzion” i tillë padyshim që ekipi vuan dhe Ajaksi e ka ndjerë, ndonëse duket ndryshe. Kjo me gjasë ishte arsyeja që të kuqtë anglezë patën epërsi dërrmuese në “Anfild”, në sfidën e Championsit, edhe pse fituan vetëm 2-1. Mohamed Salah dhe Zhoel Matip ishin autorët e golave, ndërsa Kudusi barazoi përkohësisht. Për të kuptuar epërsinë e Liverpulit duhen dhënë statistikat, me gjuajtjet që ishin 24 me 3, gjuajtjet në portë 10-1 dhe goditjet nga këndi 10-0. Kurrë ndonjëherë Ajaksi nuk ka qenë kaq keq, edhe pse e mbajti topin 47 për qind. Sipas agjencisë së statistikave “Opta”, kurrë ndonjëherë holandezët nuk kanë pasur kaq pak gjuajtje që nga viti 2003 kur nisën të mbahen të dhënat. Tashmë, Liverpuli do të luajë dy ndeshjet ndaj Gllazgou Rejnxhërsit dhe do ta ketë shumë të vështirë, pasi “Betejat e Britanisë” zakonisht janë të tilla.
Sfidanti.al