Antetokumbo, Uestbruk, Leonard e Jokiç, sa yje shkëlqyen në NBA!

Antetokumbo shënoi 30 pikë në 32 minuta, kapi 16 topa në tabela e shërbeu 6 asistë. Duket se ai po përmirësohet dhe mund të përpiqet t’i afrohet nivelit të Lebron Xhejmsit, si lojtar polivalent. Me një mbrështetje të forta nga shokët, greko-afrikani udhëhoqi Miluokin në fitoren 116-103 në fushën e Orlandos, dhe kryesuesit kanë tani bilancin 40 fitore e vetëm 6 humbje.

Rivali i tij individual për këtë mbrëmje nuk ishte Xhejms Harden, pasi “Mjekra” pati një ndeshje të qetë në fushën e Minesotës (131-124). Përballja u shenjua nga paraqitja e madhe e Rasëll Uestbrukut që shpërtheu për 45 pikë, 6 topa në tabela e 10 asistë. Ylli i ardhur nga Oklahoma po sakrifikon lavdinë personale, duke realizuar më pak tripëll dabëlla, për të synuar titullin në NBA.

Gjithsesi, i shkëlqyer ishte edhe Kaui Leonardi. Ylli i Klipersave, dhe kampion në fuqi i NBA-së, pati një tripëll dabëll me 33 pikë, 10 topa në tabela e 10 asistë, në fitoren e kalifornianëve në fushën e Majemit, 122-117. Leonardi pati edhe 2 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje.

Jashtë fushe fitoi edhe Denveri, dhe mediat serbe shkruan se Nikola Jokiç mbrojti nderin e basketbollit në Arenën e Nju Orlinsit.  Lojtari i gjithanshëm realizoi 27 pikë, kapi 12 topa në tabela, shërbeu 7 asistë, vodhi 4 topa e bllokoi një gjuajtje. Denveri fitoi 113-106. Këta ishin më të mirët e mbrëmjes së fundit në NBA.

Sfidanti.al