Anadolu Efes e Larkin janë dominues të Euroligës, e treguan në Madrid!

Nuk është e lehtë të fitosh në fushën e Realit, dhe ai ekip që ia del, mund të pretendojë kurorën. Anadolu Efes ishte nënkampion i Europës sezonin e kaluar, por tashmë është lider i padiskutueshëm i Euroligës, pra i Championsit të basketbollit, duke kaluar edhe provën për “master” në kryeqytetin e Spanjës. Edhe pse pa lojtarin më të mirë të edicionit të shkuar, Miçiç, sërish stambollinjtë gjetën një tjetër hero, amerikanin Shejn Larkin, që ishte më i miri lojtar i ndeshjes së fituar 80-75, por që ka qenë edhe lojtari më i mirë i Euroligës në dy javët e kaluara.

Ai shënoi 32 pikë, duke udhëhequr ekipin në një ndeshje të ekuilibruar, por ku turqit ishin vazhdimisht përpara. Larkin kapi edhe 3 topa në tabela, shërbeu 4 asistë dhe vodhi 2 topa, shifra këto të denja për NBA-në. Ishin jo pak, por mbi 11 000 spektatorë në Arenën e Madridit, që përjetuan humbjen e katërt radhazi të Realit, tre në Euroligë dhe një në kampionat. Anadolu Efes kryeson me 18 fitore e 3 humbje, i ndjekur nga CSKA e Moskës, Reali e Barcelona me nga 15 fitore e 6 humbje.

Sfidanti.al